Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar pas vendimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës për t’i propozuar Këshillit të Ministrave shkarkimin e Erion Veliajt nga detyra e kryebashkiakut, duke e cilësuar këtë si një fund të pashmangshëm dhe të merituar për një politikan të korruptuar.
Sipas Këlliçit, ky akt përfaqëson formalizimin e fundit të një modeli të degraduar politik, të mbështetur në propagandë dhe të zhveshur nga çdo identitet. Ai theksoi se për 44 javë me radhë Partia Demokratike dhe opozita kanë protestuar para Bashkisë së Tiranës, duke denoncuar aferën e inceneratorëve, makinerinë korruptive të njohur si “5D”, si dhe vendime të dëmshme për qytetin, përfshirë shembjen e Teatrit Kombëtar dhe betonizimin masiv të kryeqytetit.
Deputeti demokrat e cilësoi shkarkimin e Veliajt si një çlirim për Tiranën, e cila, sipas tij, është dëmtuar rëndë nga politikat e viteve të fundit: ndotja e ajrit, trafiku i rënduar, humbja e hapësirave të gjelbra dhe shkatërrimi i trashëgimisë kulturore. Këlliçi e akuzoi ish-kryebashkiakun për shndërrimin e institucionit të Bashkisë në “lavatriçe parash të pista” dhe për vendosjen e një modeli qeverisjeje të bazuar mbi fodullëkun dhe përçmimin ndaj qytetarëve kritikë.
Në deklaratën e tij, Këlliçi theksoi se beteja e tij personale kundër Erion Veliajt përfundon këtu, por jo edhe kundër modelit që ai përfaqëson. Ai e konsideroi këtë model si më të korruptuarin që ka prodhuar politika shqiptare në 35 vitet e fundit, duke u shtrirë në mënyrë kapilare në të gjithë qeverisjen e vendit dhe duke u kthyer në një pengesë të rëndë për zhvillimin dhe demokracinë.
Në përfundim, deputeti Belind Këlliçi u shpreh se kjo ditë duhet të shërbejë si fillimi i fundit për çdo politikan që mendon se mund të përsërisë krimet e së shkuarës me fytyra të reja e propagandë të ndryshme. Ai theksoi se kjo betejë mund të fitohet vetëm përmes një përpjekjeje gjithëpërfshirëse dhe bashkëpunimit të qytetarëve e të gjithë faktorëve që besojnë tek një Shqipëri më dinjitoze.
###