Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës së paraqitjes së programit dhe ekipit qeverisës, duke e cilësuar si një “diktaturë parlamentaro-virtuale”.
Sipas Këlliçit, akti i paraqitjes së programit qeverisës për vetëm 25 minuta dhe zëvendësimi i debatit parlamentar me inteligjencën artificiale të kryeministrit Rama, përbën një precedent të rrezikshëm që rrënon bazat e demokracisë.
“Në vend të llogaridhënies dhe procedurës demokratike, ai [Edi Rama] zgjedh provokimin dhe shpërfilljen ndaj çdo norme themelore të Republikës”, – u shpreh Këlliçi.
Deputeti shtoi se vizioni politik i kryeministrit është i mbështetur mbi një mentalitet autokratik, që nuk toleron kundërshti dhe nuk i lë hapësirë opozitës për të afirmuar qëndrimet e saj politike.
Këlliçi theksoi se demokracia nuk mund të zëvendësohet me teknologji të manipuluar për qëllime politike, duke nënvizuar se “fjala e lirë nuk është aplikacion patronazhistësh, por vullnet i pashantazhueshëm”.
Në përfundim, ai rikujtoi se Partia Demokratike ka qenë gjithmonë e qartë mbi karakterin diktatorial të qeverisjes aktuale, por sipas tij, tashmë kjo gjë është e qartë edhe për qytetarët shqiptarë.