Sot në Kuvend, deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, reagoi ashpër ndaj ndryshimeve të Rregullores së Kuvendit, të cilat u miratuan nga mazhoranca. Këlliçi theksoi se ky është rasti i parë në historinë e pluralizmit kur një ndryshim i tillë kryhet në mënyrë të njëanshme, duke shkelur hapur Kushtetutën.
Në fjalën e tij, ai deklaroi se propozimi i tij ishte i qartë dhe i drejtpërdrejtë: mazhoranca nuk duhet të uzurpojë hapësirat në komisionet parlamentare, të cilat sipas tij i përkasin përfaqësuesve të opozitës, dhe jo “karteleve të drogës apo grupeve të strukturuara kriminale”.
Këlliçi ironizoi duke thënë se mazhoranca “meriton të drejtojë një komision të posaçëm parlamentar për marrëdhëniet e Partisë Socialiste me kartelet e drogës dhe grupet kriminale”, pasi sipas tij krimi i organizuar dhe bandat kanë investuar më shumë se kurrë në promovimin e dhjetëra deputetëve socialistë.
Deputeti demokrat theksoi se ky veprim i mazhorancës cenon rëndë funksionimin demokratik të Kuvendit dhe përfaqësimin e drejtë të opozitës në komisionet parlamentare.