Deputeti Belind Këlliçi kërkon respektimin e procedurave parlamentare

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka ndërhyrë sërish gjatë seancës së sotme parlamentare, duke kërkuar respektimin e procedurave dhe të rregullores së Kuvendit.

Në fjalën e tij, Këlliçi theksoi se nuk është normale që fjala për procesverbalin t’i jepet disa herë kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ndërkohë që deputetët e opozitës kufizohen në të drejtën e tyre për t’u shprehur. Ai i bëri thirrje Kryetarit të Parlamentit, Niko Peleshi, që të ushtrojë rolin e tij mbi drejtimin e seancës dhe të garantojë një trajtim të barabartë për të gjitha palët parlamentare.

Sipas deputetit demokrat, mënyra e menaxhimit të seancës përbën një rast të paprecedentë, duke theksuar se nuk ka ndodhur më parë që drejtuesi i Kuvendit të kufizojë fjalën e deputetëve të opozitës mbi çështjet procedurale. Këlliçi nënvizoi se Partia Demokratike është në të drejtën e saj për të kërkuar fjalën mbi procesverbalin dhe për të pasqyruar realitetin e seancës së kaluar, e cila u zhvillua në vetëm 25 minuta pa mundësuar një debat normal.

Në përfundim, deputeti kërkoi transparencë dhe respektim të rregullores, duke sugjeruar që, nëse ka ndryshime të saj, ato të vihen në dispozicion të deputetëve për t’u njohur me to dhe për të vijuar në mënyrë të rregullt debatin parlamentar.

###

Ndaje këtë publikim:

Të ngjashme