Tiranë, Shqipëri – Deputeti Belind Këlliçi ka reaguar pas refuzimit nga shumica parlamentare të zhvillimit të debatit për Rezolutën e propozuar nga opozita, që synonte të dënonte genocidin serb në Kosovë.
Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, Këlliçi e cilëson këtë vendim jo vetëm si “vrasje të demokracisë”, por edhe si shfaqje të një përmase antishqiptare nga ana e qeverisë. Ai thekson se dënimi i genocidit serb nuk është një çështje e përkohshme politike, por një detyrim kombëtar që buron nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.
Sipas deputetit, ky qëndrim i shumicës vjen në një kohë kur kryeministri i Shqipërisë, sipas tij, mban pozicione të hapura kundër qeverisë së Kosovës dhe ndërhyn në favor të Serbisë në procesin e zbatimit të marrëveshjeve ndërmjet dy shteteve. Në këtë kontekst, mohimi i rezolutës interpretohet si një dëshmi shtesë e afrimit politik mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç, në dëm të faktorit shqiptar.
Deputeti Belind Këlliçi përfundon se dënimi i genocidit serb përbën një qëndrim të domosdoshëm kombëtar, përtej çdo kahu ideologjik, si dhe një detyrim politik e qytetar.
###

