Deputeti Belind Këlliçi kërkon korrigjimin e procesverbalit të seancës së kaluar parlamentare

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar sot nga ulësja e tij në Parlament lidhur me procesverbalin e seancës së kaluar, i cili, sipas tij, nuk pasqyron në mënyrë të saktë zhvillimet e ndodhura në Kuvend.

Duke iu drejtuar Kryetarit të Parlamentit, Niko Peleshi, Këlliçi theksoi se në pamjet filmike të seancës shihet qartë që, ndonëse ishte deklaruar se fjala do t’i jepej kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, ajo iu dha kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Sipas tij, kjo përbën shkelje të rregullave dhe të asaj që ishte thënë nga drejtuesi i seancës.

Deputeti demokrat e konsideroi këtë situatë si të paprecedentë, duke theksuar se seanca më e rëndësishme e katër viteve, ajo ku prezantohet programi i qeverisë, është zhvilluar vetëm për 25 minuta, pa u dhënë mundësia qytetarëve të dëgjojnë diskutimet.

Në përfundim të reagimit të tij, Këlliçi deklaroi se procesverbali aktual “nuk reflekton të vërtetën” dhe kërkoi që ai të korrigjohet, duke shtuar se nuk mund të krijohet përshtypja se të gjitha palët parlamentare janë dakord me atë që ndodhi në seancën e kaluar.

###

Ndaje këtë publikim:

Të ngjashme